6 persona kanë humbur jetën në Greqi si pasojë e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor dhe komplikacioneve që ai shkakton në Sistemin Nervor Qendror.
Sipas Organizatës Kombëtare për Shëndetin Publik, infeksionet vijojnë të rriten, me 23 raste të reja vendase të raportuara gjatë javës së fundit.
Deri më tani janë konfirmuar gjithsej 65 raste. Nga këto, 54 pacientë kanë zhvilluar forma të rënda të sëmundjes, me komplikacione në Sistemin Nervor Qendror, përfshirë meningjitin dhe paralizën akute flacide. Ndërkohë, 11 persona kanë shfaqur simptoma të lehta ose nuk kanë pasur komplikacione neurologjike.
Aktualisht, 20 pacientë janë të shtruar në spital, ndërsa një pjesë e tyre po trajtohen në njësitë e kujdesit intensiv për shkak të gjendjes së rënduar.
Rastet janë identifikuar në 25 bashki të Greqisë, të shpërndara në dhjetë njësi rajonale të Atikës, Thesalisë dhe Maqedonisë Qendrore.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se në javët e ardhshme pritet të konfirmohen raste të tjera, si në zonat ku virusi tashmë qarkullon, ashtu edhe në rajone të reja.



