Ministria e Mbrojtjes – Informim rreth situatës së zjarreve gjatë 10 orëve të fundit
Gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive.
Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura – në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së, ADZM-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 1 helikopteri të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe vijon puna për të penguar përhapjen drejt zonave të banuara. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të FA-së dhe avioni “Air Tractor”.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri ka kaluar në majën e malit dhe ka rritur intensitetin brenda një zone të mbrojtur. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Penkovë, bashkia Selenicë, zjarri është shuar plotësisht, pasi preku rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë, bashkia Skrapar, situata është vendosur nën kontroll.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.


