Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Gomonia mori flakë në kanalin e La Manshit, autoritetet: Shpëtohen mbi 150 emigrantë

schedule12:28 - 4 Gusht, 2026

schedule 12:28 - 4 Gusht, 2026

Më shumë se 150 emigrantë janë shpëtuar pasi gomonia me të cilën po përpiqeshin të kalonin Kanalin e La Manshit drejt Mbretërisë së Bashkuar mori flakë mëngjesin e së martës, njoftuan autoritetet franceze.

Sipas Prefekturës Detare Franceze për Kanalin e La Manshit dhe Detin e Veriut, zjarri shpërtheu në motorin e gomones gjatë lundrimit drejt Britanisë.

Autoritetet bënë të ditur se 157 persona janë shpëtuar dhe po transportohen në portin e Boulogne-sur-Mer. Deri tani nuk raportohet për të plagosur apo viktima.



Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pasi kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi se qeveria e tij do të jetë “e pamëshirshme” në përpjekjet për të frenuar mbërritjen e emigrantëve në Britani me gomone të vogla.

Sipas autoriteteve franceze, gomonia ishte nisur nga brigjet e Francës të hënën në mbrëmje. Gjatë natës, pesë persona në bord kërkuan ndihmë dhe u shpëtuan, ndërsa pjesa tjetër e emigrantëve refuzoi ndihmën e ofruar nga anijet patrulluese franceze.

“Emigrantët, të vendosur për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar, refuzuan ndihmën e shërbimeve franceze të emergjencës, duke e pranuar atë vetëm në situata të rrezikut ekstrem”, thuhet në deklaratën e autoriteteve franceze.

Për shkak të brishtësisë strukturore të gomoneve që përdoren për kalimin e Kanalit të La Manshit, autoritetet vendosën të mos ndërhynin më tej në atë fazë, për të shmangur rrezikimin e jetëve të personave në bord.

Megjithatë, mëngjesin e së martës motori i gomones mori flakë dhe mjeti lundrues u dëmtua me shpejtësi, duke e bërë të domosdoshëm operacionin e shpëtimit.

Në operacion morën pjesë mjete shpëtimi nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, përfshirë anijen e shpëtimit RNLI Eastbourne dhe anijet e Forcës Kufitare Britanike BSC Contender dhe BSC Courageous.

Dy anije franceze shpëtuan 103 emigrantë, ndërsa anijet britanike nxorën nga deti 54 të tjerë. Të gjithë të shpëtuarit po dërgohen në portin e Boulogne-sur-Mer, ku do të marrin ndihmë mjekësore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!