Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Iku me gomone, sot “dukë” në Venecia me 50 biznese: Historia e lezhjanit Fatmir Shtjefni

schedule11:56 - 22 Shtator, 2026

schedule 11:56 - 22 Shtator, 2026

Një natë shtatori, 27 vite më parë, një i ri nga Lezha u nis drejt Italisë me gomone, pa e ditur se ku do ta çonte jeta. Gomonia e la rreth 200 metra larg bregut, ndërsa ai kishte me vete vetëm shpresën për një jetë më të mirë.

Milano u bë stacioni i parë i rrugëtimit. Atje punoi, studioi, mësoi gjuhën dhe pa nga afër mënyrën se si funksiononte bota e biznesit. Më pas erdhi Venecia. Vizita e parë me tren e mahniti dhe pak vite më vonë, në moshën 22-vjeçare, Fatmir Shtjefni hapi aty biznesin e tij të parë, një dyqan floriri.

Fillimet nuk ishin të lehta. Pyetjet dhe paragjykimet ishin të shumta: nga i kishte gjetur paratë dhe si kishte arritur të hynte në një treg kaq konkurrues? Por një vendim i guximshëm do t’i ndryshonte gjithçka. Dyqanin e floririt e transformoi në një dyqan produktesh xhami te prodhurara në Murano, një zgjedhje që sipas tij trefishoi xhiron dhe solli fitime 600% më shumë.

Nga një biznes, sipërmarrjet u shtuan. Deri në vitin 2015, Shtjefni thotë se kishte hapur dhe shitur 115 biznese. Por suksesi do të vihej në provë nga dy goditje të njëpasnjëshme. Përmbytja e madhe e Venecias në vitin 2019 dëmtoi rëndë aktivitetet e tij, ndërsa pandemia e vitit 2020 paralizoi dhjetëra biznese, katër hotele dhe katër restorante.

Në atë periudhë, kur rrezikoheshin edhe vendet e punës së rreth 180 punonjësve, ai u orientua drejt tregtisë online dhe marketingut. Sot aktiviteti i tij shtrihet përtej Italisë, me sipërmarrje në Shqipëri, Britani dhe SHBA, ndërsa hoteleria dhe turizmi janë kthyer në një tjetër drejtim të rëndësishëm.

Nga emigranti që mbërriti me gomone, në sipërmarrësin që ndërtoi një rrjet biznesesh në disa shtete, historia e Fatmir Shtjefnit është edhe një rrëfim për përshtatjen, riskun dhe nisjen nga zero.
Në vitin 2026, emri i tij u shfaq edhe në garën për këshillin bashkiak të Venecias, duke e çuar rrugëtimin e tij në një tjetër fushë: nga biznesi drejt jetës publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!