Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me grupin parlamentar dhe drejtuesit politikë, ku ka prezantuar një dokument të ri strategjik për organizimin e partisë.
Rama tha se dëshira për të vijuar në drejtimin e vendit nuk lidhet me bindjen se PS di më shumë se të tjerët, se vetëm ajo mund ta udhëheqë Shqipërinë apo se është e lidhur me pushtetin.
Sipas Ramës, për herë të parë anëtarësimi në Bashkimin Europian është një objektiv i prekshëm, ndërsa theksoi se dritarja e mundësisë nuk do të mbetet e hapur përgjithmonë.
Kryeministri nënvizoi se kjo nuk është një betejë e Partisë Socialiste për të mbajtur pushtetin, por një betejë e Shqipërisë për t’u ulur “në sofrën e BE-së”.
Rama shtoi se dita e rotacionit vendoset nga qytetarët, por detyra e qeverisë është të bëjë gjithçka që viti 2030 ta gjejë Shqipërinë brenda Bashkimit Europian.
“Pse duam të qëndrojmë ne gjithnjë në krye? Jo se dimë më shumë se të tjerët, jo sepse vetëm ne mundemi të udhëheqim Shqipërinë, as se kundërshtarët tanë janë të vjetër edhe kur janë të rinj, as, jo e jo, sepse jemi të vetëlidhur pas karriges së pushtetit.
Përgjigjja e vërtetë ka të bëjë me çdo gjë tjetër, me orën ku ndodhet Shqipëria. Vendi nuk është sot ende një vend në një rrugë të zakonshme që mund të ecë, të ndalojë, të ndërrojë qeverinë e të vazhdojë aty ku e la. Kur ecin në rrugën e shtruar të shtetit të së drejtës, ndërrojnë shoferin.
Shqipëria sot është në udhëkryqin e fundit që e lidh me rrugën për në shtëpinë e madhe të Europës. Për herë të parë dera e hapur shihet me sy në kalendar dhe nuk është një dritë që herë zhduket nga mjegulla në shtigjet e rrugës sonë. Është përpara nesh, është reale.
Dihet botërisht që nuk është një derë që rri hapur në pafundësi, por hapet një herë në një brez. Përpara derës së hapur, Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të vijë vërdallë apo të ndryshojë vendim në mes të rrethrrotullimit.
Kjo nuk është beteja e PS për të mbetur në pushtet, është beteja e Shqipërisë për të qenë në sofrën e BE. Nuk kërkojmë pronësinë e historisë, por do të mbajmë përgjegjësinë që historia na ka dhënë mbi supe.
Ditën e rotacionit e cakton populli, por detyra që kemi marrë nga populli është të bëjmë çdo gjë që viti 2030 ta gjejë Shqipërinë brenda derës së Europës.
Ne e nxorëm Shqipërinë nga një mungesë tërësore. Sot jemi në një epokë mundësish të reja, pritshmërish të rritura dhe vlerësimi ndërkombëtar.
Mandati i katërt nuk mund dhe nuk duhet të jetë zgjatimi aritmetik i tre mandateve të mëparshme. Duhet të jetë kapitulli i një kthese të madhe, as për mbylljen e negociatave, as për PBB mbi 30 miliardë euro në vit, që është një kthesë për ekonominë.”


