Zjarret masive vijojnë të përfshijnë Francën dhe Spanjën, duke detyruar qindra mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre. Deri tani, mbi 295 mijë persona janë evakuuar në të dy vendet, ndërsa mijëra zjarrfikës, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, vijojnë betejën me flakët, të favorizuara nga temperaturat ekstreme, thatësira dhe erërat e forta.
Situata më e rëndë mbetet në jugperëndim të Francës, ku zjarri ka avancuar deri në rreth 15 kilometra nga Bordoja. Rreth 220 mijë persona janë evakuuar, ndërsa qindra banesa janë shkatërruar. Presidenti Emmanuel Macron ka mbledhur qeverinë në një takim emergjent, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë deri në 37 gradë Celsius, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Edhe Spanja vazhdon të përballet me një situatë kritike. Mbi 75 mijë persona janë evakuuar, ndërsa rreth 30 mijë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në banesa për shkak të rrezikut.
Përballë përmasave të krizës, qeveria spanjolle ka shpallur emergjencën kombëtare dhe ka aktivizuar mekanizmin e ndihmës evropiane, ndërsa autoritetet në të dy vendet vijojnë përpjekjet për të vënë flakët nën kontroll dhe për të mbrojtur zonat e banuara.



