Policia e Sarandës, pas kontrolleve në lagjen “Baba Rexhepi”, zonë ku dyshohet se u drejtuan autorët pas atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, ka gjetur një motor të braktisur.
Motori u gjet buzë detit, në një prej gjireve të zonës, në vendin e njohur si “Kasollja”. Policia dyshon se ai u përket autorëve të atentatit të mbrëmjes së të premtes. Mjeti nuk kishte shenja dëmtimi apo djegieje, çka mund t’i shërbejë grupit hetimor për mbledhjen e materialit gjenetik, me qëllim identifikimin e autorëve.
Fakti që motori është gjetur buzë detit ka ngritur dyshimet se autorët janë larguar me mjet lundrues ose mund të jenë fshehur në banesat e zonës periferike.
Sipas dyshimeve të grupit hetimor, atentati ndaj Thimjo Rubatit ka qenë i planifikuar. Organizatori dyshohet se ka shfrytëzuar qëllimisht ngjarjen e një dite më parë, kur djali i Rubatit u konfliktua me një oficer policie, me synimin për të ngatërruar pistën e hetimit.
Madje, ka informacione se autorët ishin në dijeni se policia kishte sekuestruar një natë më parë DVR-në e kamerave të sigurisë në zonë, duke shfrytëzuar këtë fakt për ta kryer atentatin në një zonë të pambuluar me kamera.
Deri në këto momente, burime nga hetimi bëjnë me dije se dy janë pistat kryesore që po verifikohen: konflikti për pronësinë dhe një konflikt personal për motive të tjera. Ndërsa pista e larjes së hesapeve apo hakmarrjes konsiderohet më pak e mundshme, pasi indiciet e deritanishme janë minimale.



