Policia e Sarandës është vënë në kërkim të autorëve të atentatit ndaj Thimjo Rubatit, 50 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 4 të qytetit.
Sipas të dhënave paraprake, pasi kanë qëlluar ndaj Rubatit, autorët kanë lëvizur me motor nga rruga “Mitat Hoxha” në drejtim të zonës së varrezave të qytetit, në lagjen e quajtur “Baba Rexhepi”, ku më pas kanë humbur gjurmët.
Kjo zonë është periferike dhe më tej shtrihet një terren bregdetar i thepisur. Për këtë arsye, kontrollet pritet të zgjerohen edhe në drejtim të detit, ndërsa vijojnë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
I plagosuri Thimjo Rubati u transportua me urgjencë në Spitalin e Sarandës dhe, sipas informacioneve paraprake, ndodhet në gjendje të rëndë, duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se dyshohet për një atentat të organizuar. Sipas hetimeve paraprake, autorët kanë qëlluar ndaj 50-vjeçarit dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Rubati është një person i njohur për autoritetet, me precedentë penalë të raportuar për trafik klandestinësh, kontrabandë dhe armëmbajtje pa leje. Ai rezulton gjithashtu i skeduar nga policia për trafik të mjeteve motorike.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, janë blinduar hyrje-daljet e qytetit dhe vijojnë kontrollet për kapjen e autorëve.



