Franca ka nisur zbatimin e angazhimeve të saj ndaj Ukrainës, duke i ofruar Kievit sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe mundësi për prodhimin e armëve moderne në territorin ukrainas.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Ukraina do të marrë dy sisteme të mbrojtjes kundër raketave SAMP/T të gjeneratës së re, si dhe raketa interceptuese Aster 30. Deklarata u bë pas takimit në Paris me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në kuadër të koalicionit të vendeve mbështetëse për Ukrainën.
Përveç furnizimeve ushtarake, Kievi ka siguruar edhe licenca për prodhimin e raketave antibalistike Aster 30, bombave të drejtuara me precizion AASM Hammer 250 kilogramëshe dhe raketave me rreze të gjatë veprimi SCALP.
Kjo marrëveshje konsiderohet një hap i rëndësishëm strategjik për Ukrainën, pasi i lejon Kievit të reduktojë varësinë nga furnizimet e huaja dhe të zhvillojë prodhimin e armëve të avancuara brenda vendit, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë me rreze të gjatë veprimi.
Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak, Ukraina ka blerë gjithashtu 16 avionë luftarakë Rafale nga Franca. Dorëzimi i tyre pritet të nisë në vitet 2028-2029, pasi të përfundojë trajnimi i pilotëve dhe teknikëve ukrainas.



