Është vetëm hera e tretë që ia del.
Spanja e realizoi objektivin minimal të këtij Botërori, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale, ndonëse vuajti shumë ndaj Belgjikës.
Kampionët e Europës vazhduan me fitoret në Amerikën e Veriut, por kur mendon se rivali për në finale është Franca, ajo që bënë në Los Anxhelos u duk pak.
Natyrisht, epërsia e “Furive të Kuqe” ishte e plotë.
Ata mbajtën topin gati 68 për qind, bënë 17 gjuajtje ndaj vetëm 5 të belgëve, dhe goditjet në kuadrat ishin 8-2!
Gjithsesi, ky dominim shpesh ishte shterpë, edhe pse Lamin Jamal u tregua I rrezikshëm në pjesën e parë, dhe Spanja kaloi më në fund në avantazh.
Një aksion model përfundoi me Fabian Ruizin që dërgoi topin në rrjetë.
Sidoqoftë, skuadra e trajnerit Luis de la Fuente sikur ishte shumë e shpenguar, duke mos e shfrytëzuar momentin për të shënuar të dytin.
Belgjika vërtet sulmoi rrallë, por ishte e rrezikshme dhe krejt pa presion.
Papritur në 41’ De Keteler barazoi për 1-1.
Pjesa e dytë e iberikëve ishte më e dobët.
Jo sepse nuk sulmoi, përkundrazi, por sepse rrallë e çau mbrojtjen kundërshtare.
Lamin Jamal nuk depërtoi dot më, as Niko Uilliams kur hyri si zëvendësues, dhe fatin e ndeshjes nuk e ndryshoi dot as ylli I Barcelonës, Pedri, që gjithashtu erdhi nga stoli.
U desh sërish “asi nën mëngë” I De la Fuentes, Mikel Merino.
Mesfushori ofensiv bask, që luan për Arsenalin në Angli, siguroi kualifikimin ashtu si ndaj Portugalisë, fare në fund.
Shënoi në 89’.
Spanja arriti gjysmëfinalen e tretë Botërore, shumë pak për emrin që ka, ashtu si në 1950, dhe në 2010 kur doli kampione e rruzullit.
Nuk dihet nëse do të mundë t’ia dalë edhe ndaj Francës për të siguruar finalen e dytë në histori.



