Policia e Lezhës ka intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me fokus verifikimin e origjinës së tyre dhe burimit të pasurisë me të cilën janë blerë. Në kuadër të kontrolleve është bllokuar një automjet tip “Rolls-Royce”, ndërsa ka nisur hetimi pasuror për pronarin e tij.
Kontrollet janë kryer nga strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Policinë Rrugore.
Automjeti luksoz është konstatuar në qytetin e Lezhës, ku është bërë kontrolli dhe verifikimi i dokumentacionit. Hetuesit kanë kryer verifikime mbi origjinën e mjetit, historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të tij, si dhe mbi pronësinë dhe burimin e të ardhurave të përdorura për blerjen.
Automjeti “Rolls-Royce” është bllokuar administrativisht për mungesë dokumentacioni, ndërsa ka nisur hetimi pasuror për pronarin e tij, banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Policisë, kontrollet synojnë evidentimin e automjeteve që mund të jenë përfituar nga veprimtari kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të tyre dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

