Dy persona janë arrestuar në flagrancë në pikën kufitare të Kakavijës, pasi u kapën duke transportuar me autobusë sasi produktesh shtazore, mish dhe peshk, të dyshuara si të kontrabanduara nga Greqia.
Operacioni i koduar “Ngarkesat” u finalizua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Kakavijë dhe specialistët e AKU Gjirokastër, në kuadër të kontrolleve të shtuara kundër kontrabandës dhe shkeljes së parametrave të sigurisë ushqimore.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve me skaner në vijën e dytë të kontrollit, në hyrje të Shqipërisë, në dy autobusë të linjave Athinë-Gjirokastër dhe Athinë-Shkodër, të drejtuar nga dy të arrestuarit, u konstatuan 31 pako me produkte shtazore, mish dhe peshk.
Produktet po transportoheshin në kundërshtim me kriteret higjieno-sanitare dhe dyshohet se ishin kontrabanduar nga Greqia, pasi nuk dispononin dokumentacion tatimor.
Mallrat e konstatuara gjatë kontrollit u sekuestruan si pjesë e procedurës hetimore.
Të arrestuarit po hetohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

