Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kallëzojnë në SPAK ministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, si dhe drejtuesit e Thesarit në rrethe pas ngërçit të krijuar me pagat.
Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.
Ndërkaq, gjyqtarët po zhvillojnë këtë të enjte një mbledhje të jashtëzakonshme në KLGJ për ngërçin e krijuar me pagat e muajit gusht të magjistratëve.
Për të disatën ditë Dhoma Penale dhe Civile e Tiranës kanë bojkotuar punën si pasojë e situatës së krijuar për pagën e muajit gusht. E njëjta panoramë u paraqit edhe në Gjykatën e Fierit dhe atë të Lushnjes, ku qytetarët pritën me orë të tëra të merrnin shërbimet.
Punën e bojkotuan sekretarët dhe kancelarët, ndërsa gjyqtarët nuk iu bashkuan bojkotit.
Sipas informacioneve të ABC News, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë nuk ka ende një afat se kur do të vijojë normalisht seancat gjyqësore.
Një vendim i tillë ka ardhur pas situatës së krijuar ditët e fundit me çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë. Të martën, në Gjykatën e Lartë u mblodhën kryetarët e gjykatave të Republikës, të cilët vendosën të mos bojkotojnë punën dhe të vijojnë punën normalisht, deri në zgjidhjen e çështjes nga Kuvendi./abcnews.al

