Kanye West vjen në Tiranë, më 11 korrik koncerti i shumëpritur në “Eagle Stadium”
Tirana do të presë një nga emrat më të mëdhenj të muzikës hip-hop botërore. Reperi amerikan Kanye West, i njohur edhe me emrin artistik Ye, do të mbajë një koncert në kryeqytet sot, më 11 korrik, në një event që pritet të mbledhë dhjetëra mijëra fansa.
Performanca do të zhvillohet vetëm për një natë në “Eagle Stadium”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet përgjatë aksit Tiranë–Durrës.
Arena do të ketë një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh, duke e bërë koncertin një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri.
Kanye West konsiderohet një prej artistëve më me ndikim në historinë e muzikës hip-hop. Gjatë karrierës së tij ai ka publikuar albume që kanë shënuar epokë, si “The College Dropout”, “Graduation”, “808s & Heartbreak” dhe “Donda”, ndërsa është vlerësuar me 24 çmime Grammy.
Përveç suksesit në muzikë, West ka ndërtuar edhe një karrierë të suksesshme në industrinë e modës me markën Yeezy, ndërsa revista Time e ka renditur dy herë mes njerëzve më me ndikim në botë.
Koncerti në Tiranë do të shënojë performancën e parë të Kanye West në Ballkan, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në qendër të vëmendjes për fansat e artistit nga rajoni dhe më gjerë.
Pritet që eventi të sjellë mijëra vizitorë në Shqipëri, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të posaçme për organizimin dhe menaxhimin e trafikut në zonën ku do të zhvillohet koncerti.



