Këngëtarja Bonnie Tyler, e njohur për hitet “Total Eclipse of the Heart”, “Holding Out for a Hero” dhe “It’s a Heartache”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.
Në një njoftim të publikuar në faqen e saj zyrtare njoftohet lajmi i hidhur.
“Familja dhe ekipi i Bonnie janë të pikëlluar të njoftojnë se Bonnie ndërroi jetë papritur mbrëmë në një spital në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po trajtohej.”
Në muajin maj, artistja, me origjinë nga Skewen në Uellsin jugor, u vendos në një gjendje kome të induktuar pas një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale në zorrë në Portugali.
Muajin e kaluar, zëdhënësi i saj bëri të ditur se ajo kishte dalë nga koma, por mbetej “në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe në njësinë e kujdesit intensiv”.
Jeta, vepra dhe sukseset e këngëtares
Bonnie Tyler, e lindur me emrin Gaynor Hopkins, u rrit në një banesë sociale në qytetin Neath, në Uells. Ajo u zbulua nga menaxheri i talenteve Roger Bell në një klub në Swansea dhe publikoi këngën e saj të parë, “Lost in France”, në vitin 1977.
Po atë vit, balada e saj country-pop “It’s a Heartache” arriti vendin e katërt në klasifikimin e këngëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendin e tretë në listën Billboard Hot 100 në Shtetet e Bashkuara.
Suksesi i saj më i madh, “Total Eclipse of the Heart”, me një stil më rock, u publikua gjashtë vjet më vonë, në vitin 1983, duke u ngjitur në vendin e parë të klasifikimeve muzikore në të dy anët e Atlantikut.
Kënga dramatike, e shkruar nga tekstshkruesi i Meat Loaf, Jim Steinman, fillimisht mbante titullin “Vampires in Love”, pasi ishte krijuar për një version muzikor të filmit “Nosferatu”.
“Nuk lodhem kurrë duke e kënduar,” tha ajo së fundmi për BBC News. “E dua sepse të gjithë mezi presin ta këndojnë bashkë me mua.”
Për këtë hit, Tyler u nominua për një çmim Grammy, ndërsa mori edhe dy nominime të tjera për albumin “Faster Than the Speed of Night” dhe këngën “Here She Comes”.
Jim Steinman shkroi gjithashtu një tjetër nga himnet e saj më të njohura pop-rock të viteve 1980, “Holding Out for a Hero”, e cila u regjistrua për kolonën zanore të filmit “Footloose”.
Në vitin 2013, Bonnie Tyler përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në Eurovision Song Contest, ku u rendit e 19-ta mes 26 pjesëmarrësve. Në vitin 2023, ajo u nderua me titullin MBE (Anëtare e Urdhrit të Perandorisë Britanike) për kontributin e saj në muzikë.
Vitin e kaluar, ajo publikoi një version dance të “Total Eclipse of the Heart”, të prodhuar nga David Guetta dhe Hypaton, me titullin “Together”.
Ndërsa këtë vit, plot 43 vjet pas publikimit të saj, versioni origjinal i “Total Eclipse of the Heart” kaloi shifrën e 1 miliard dëgjimeve në platformën Spotify.
“Jam vërtet shumë e lumtur. Kur e mendon, në botë ka vetëm 8.3 miliardë njerëz,” kishte thënë ajo.
Këngëtarja e interpretoi më parë hitin e saj me titull mjaft domethënës “Total Eclipse of the Heart” në bordin e një anijeje turistike në Karaibe, ndërsa eklipsi diellor përshkoi Shtetet e Bashkuara në vitin 2017. Bonnie Tyler lë pas bashkëshortin e saj, Robert Sullivan, me të cilin kishte qenë e martuar për më shumë se 50 vjet.



