Shumë shqiptarë të Kosovës kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Shqipërisë këtë fundjavë.
Në pikën e përbashkët kufitare të Morinit, mëngjesi i të shtunës nisi me fluks të lartë automjetesh.
Qytetarët e Kosovës thonë se do të shkojnë në bregdet për të pushuar këto ditë të nxehta vere.
Velipojë, Shëngjin, Tale, Rana e Hedhun mbeten plazhet më të pëlqyera të tyre.
Numri i lartë i udhëtarëve i ka detyruar të presin në radhë, megjithëse dy sportele shtesë janë hapur për të përballuar fluksin e lartë të mjeteve.
Aktualisht, për mjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës, policia kufitare punon me procedurë të thjeshtuar të kalimit të kufirit, pa kontrolle.
Gjithashtu, me shtimin e fluksit të udhëtarëve, nga 1 korriku ka nisur edhe patrullimi i përbashkët i policisë rrugore të Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha rrugët kombëtare drejt bregdetit.



