Fluks i lartë i aplikimeve nga fermerët për skemat mbështetëse në Qarkun e Korçës ka detyruar autoritetet të shtyjnë afatin e dorëzimit të dokumenteve deri më 6 korrik.
Vetëm në skemën e pagesave direkte sipas sipërfaqes, deri tani kanë aplikuar rreth 7 mijë fermerë, ndërsa interesi i shtuar në ditët e fundit ka sjellë edhe nevojën për më shumë kohë për përpunimin e aplikimeve dhe plotësimin e dokumentacionit.
Sipas Drejtorisë së Bujqësisë, një pjesë e aplikuesve nuk kishin përfunduar ende dokumentet e nevojshme, ndërsa vetë fermerët kanë kërkuar shtyrje për shkak të angazhimeve në sezonin bujqësor.
Rritje të aplikimeve ka pasur edhe në skemat e blegtorisë, si pasojë e ndryshimit të kritereve që lidhen me numrin e krerëve, duke zgjeruar mundësinë e përfitimit për më shumë blegtorë.
Deri në këtë fazë, në të gjitha skemat mbështetëse kanë aplikuar mbi 8 mijë fermerë në Qarkun e Korçës, ndërsa autoritetet presin që numri të rritet deri në mbylljen e afatit të ri, më 6 korrik.



