10 milionë euro kompensim është dhënë për fermerët përmes skemës së autofaturës vetëm në dy muaj. Administrata tatimore bën me dije se nga 1 korriku deri më 31 gusht, janë dorëzuar online 4 mijë e 104 aplikime për kompensim.
Prej tyre, rreth 3 mijë janë miratuar, ndërsa pjesa tjetër mbetet ende në shqyrtim.
Por çfarë është autofatura?
Kur fermeri shet prodhimet e tij te një grumbullues, përpunues apo agroturizëm i certifikuar, është blerësi ai që lëshon faturën në emër të fermerit.
Kjo faturë i shërben fermerit për të dokumentuar shitjen e prodhimeve dhe për të përfituar 10 për qind kompensim nga shteti.
Kompensimi synon të ndihmojë fermerët për TVSH-në që paguajnë kur blejnë fara, fidanë, plehra dhe inpute të tjera bujqësore.
Në këtë mënyrë sa më shumë produkte të shiten me autofaturë, aq më i madh është edhe kompensimi që mund të përfitojë fermeri. Për të përfituar nga kjo skemë, fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT dhe të ketë status aktiv.
Aplikimi i fermerëve kryhet online në platformën e-Filing të Tatimeve. Në sistem deklarohen autofaturat e lëshuara nga grumbulluesit për periudhën përkatëse.
/abcnews.al/

