Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas largimit të deputetes Marjana Koçeku nga kjo forcë politike, duke i kërkuar asaj të dorëzojë menjëherë mandatin. Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se mandati i përket PS-së dhe se Koçeku nuk është një person i votuar drejtpërdrejt nga qytetarët.
Duke komentuar zhvillimet e fundit, ai u shpreh se protesta qytetare është “vjedhur” nga aktorë të tjerë politikë dhe ka devijuar plotësisht nga kauza e saj fillestare.
Sipas Ballës, fokusi kryesor i vendit mbetet integrimi në Bashkimin Europian, ndërsa vuri në dukje se administrata shtetërore duhet të jetë më e përgjegjshme dhe në shërbim të popullit.
“Kujt t’i përgjigjem. Unë po iu them bindjen e të gjithë shqiptarëve. Nuk kemi të bëjmë me një protestë që lindi për një rast, që të gjithë ndajmë të njëjtin qëndrim. Atë çështje që ngritën, sot nuk flasin më. Sot protestën që ata nisën ua kanë vjedhur, se kush ua ka vjedhur të gjithë e dimë. Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur dhje Koçekun e ka zgjedhur PS, të dorëzojë mandatin sepse ia ka dhënë PS. Nuk është një person i votuar.
Gjatë gjithë 6-7 muajve kam pasur vetëm falënderime nga deputetja Marjana Koçeku për mënyrën se si e drejtoj Grupin Parlamentar të PS. Ne jemi pjesa që u flasim shqiptarëve që u flasim në pjesën europiane. Agjenda e Shqipërisë është integrimi në BE. Unë bëj pjesë në ata njerëz që arrij t’u kthej përgjigje pjesës më të madhe që shkruajnë dhe realisht janë shumë.
Ka një pjesë të madhe të atyre, që halli i tyre nuk zgjidhet sepse kështu që është norma ligjore në këtë vend. Ne kemi zgjedhur një detyrë, që ka rolin e shërbëtorit të popullit. Duhet të jemi kokulur dhe sa më dëgjues e komunikues me qytetarët. Rama e ka thënë shpesh herë që kundërshtari më i madh i PS nuk është as partia e bufit dhe as protestuesit, por ajo pjesë e administratës që nuk u kthen përgjigje qytetarëve”, tha Balla./abcnews.al



