Bisedimet mes Izraelit dhe Libanit, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, kanë hyrë në një fazë vendimtare, pasi raundi i pestë i negociatave po vazhdon në Uashington përtej afatit të parashikuar.
Ndërkohë, zhvillimet në terren dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit po shtojnë pasigurinë në rajon.
Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se delegacionet e Izraelit dhe Libanit vijojnë kontaktet, duke u rikthyer në tryezën e bisedimeve.
Raundi i pestë, i cili ishte planifikuar të përfundonte të enjten, është zgjatur me synimin për të arritur përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme nën ndërmjetësimin e SHBA-së.
Në të njëjtën kohë, situata në kufirin Izrael-Liban mbetet e tensionuar. Hezbollahu akuzoi Izraelin për një “shkelje flagrante” të armëpushimit pas një sulmi me dron në territorin libanez, ku humbën jetën të paktën tre persona. Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se objektivi i operacionit ishin luftëtarë të Hezbollahut.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti se forcat izraelite do të qëndrojnë në territorin libanez “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke sinjalizuar se tensionet në terren mbeten të larta pavarësisht procesit diplomatik.
Paralelisht, zhvillimet në Ngushticën strategjike të Hormuzit po tërheqin vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA nuk do të pranojë një marrëveshje me Iranin “me çdo kusht”, duke paralajmëruar se vendosja e tarifave të tranzitit nga Teherani për kalimin në këtë rrugë detare do të krijonte precedent të rrezikshëm për tregtinë ndërkombëtare.
Edhe Omani ka bërë të ditur se nuk mbështet vendosjen e tarifave të tilla, ndërsa Garda Revolucionare Iraniane ka paralajmëruar se do të marrë “masa të përshtatshme” nëse anijet kalojnë pa miratimin e saj.
Ndërkohë, vendet e Gjirit kërkojnë që në negociatat SHBA-Iran të përfshihen edhe çështjet e programit iranian të raketave balistike dhe mbështetja e Teheranit për grupet e armatosura në rajon, duke i konsideruar këto elemente thelbësore për sigurinë afatgjatë.
Pavarësisht armëpushimit që ka lejuar rifillimin e pjesshëm të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, numri i anijeve mbetet dukshëm më i ulët se niveli normal, ndërsa çmimet e naftës kanë reaguar sërish me rritje pas zhvillimeve të fundit.
Sipas autoriteteve amerikane, raundi i ardhshëm i bisedimeve teknike mes delegacioneve është planifikuar të zhvillohet më 29 ose 30 qershor në Zvicër, në kuadër të një procesi negociues që parashikohet të zgjasë 60 ditë.
/abcnews.al/



