Punë nuk u prishi aspak, por imazhi mund të quhet i njollosur. Gjermania pësoi humbjen e parë në këtë Botëror, disfatë që nuk e pengoi të ishte e kualifikuar madje si e para e grupit, por të besuarit e trajnerit Julian Nagelsman nuk dhanë aspak atë që pritej.
Ekuadori, tashmë një habi e turneut, ia doli me përmbysje 2-1 dhe u kualifikua si vendi i tretë në grupin E.
Ishte një duel me shumë gabime ai që u luajt në stadiumin e Nju Xhersit, ku do të mbahet finalja, në prani të mbi 80 000 spektatorëve, dhe nën drejtimin e një arbitreje femër, si amerikania Tori Penso.
Katër herë kampionët e botës shënuan shpejt, që në 2’, kur topin në rrjetë e dërgoi Leroi Sane, edhe pse ekuadorianët protestuan për faull më herët gjatë aksionit.
Përgjigja nuk vonoi dhe barazimin e siguroi Angulo në 9’. Më pas, gjermanët fituan penallti, që u anulua pas shqyrtimit me VAR të një faulli më herët.
Vazhduan shumë minuta me epërsi territoriale të europianëve, por me amerikanolatinët që synuan të ishin të rrezikshëm në kundërsulm, apo në aksione të shpejta.
Ky ekuilibër u prish 13’ para fundit, kur Plata veproi më shpejt se Nojer duke e dërguar topin në rrjetë.
Ekuadori që nuk kishte shënuar asnjë gol deri tani në këtë Botëror, ia doli dy herë, mori pikët e para, fitoren e parë, dhe kualifikimin si vend i tretë në grup me 4 pikë.
Gjermania humbi dhe u turpërua, ndonëse ka ndodhur edhe më parë, si ndaj Algjerisë apo Gjermanisë Lindore, por pastaj është arritur finalja ose është fituar titulli botëror.



