Futbolli në Argjentinë është pjesë e kulturës së vendit. Dhe kur bëhet fjalë për kombëtaren, tifozët argjentinas nuk kursehen. Kjo shpjegon numrin e lartë të tifozëve që ndjekin përfaqësuesen si në ndeshjet brenda shtëpisë dhe ato jashtë kufijve.
Por, kjo kërkon shpenzime të mëdha dhe sakrifica financiare, që shpesh herë rëndojnë në ekonominë e familjeve dhe mbi të gjitha mbi mirëqenien e fëmijëve.
Për ta parandaluar këtë qeveria argjentinase ka gjetur një mënyrë krejt origjinale.
Ajo i ka dërguar autoriteteve amerikane një listë me 13 mijë individë që kanë mbetur prapa në pagesat e mbështetjes për fëmijët.
Qëllimi është që këta persona të mos lejohen të hyjnë në stadiume për ndeshjet e “Botërorit 2026”, bazuar në argumentin se neglizhenca financiare ndaj fëmijëve është më e rëndësishme se sfidat e futbollit.
Kjo kërkesë e veçantë e qeverisë së Argjentinës ndaj organizatorëve të Kupës së Botës është pjesë e një program që ka nisur në vend që nga viti 2023.
I quajtur “Tribuna të Sigurta”, përveç personave që nuk kanë paguar mbështetjen financiare ndaj fëmijëve, në stadiumet e Argjentinës nuk lejohen të hyjnë as ata që kanë histori dhune në familje dhe të dënuar për vepra të tjera penale.
Kjo nismë ka gjetur mbështetje të madhe në vend, ndërsa pasi është zbuluar edhe për pjesën tjetër të botës, është përqafuar nga tifozët në rrjetet sociale.



