Atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Nuk mund të ndodhte ndryshe në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit, në ndeshjen e lamtumirës së atij që cilësohet më i madhi i epokës, e ndoshta më I Madhi në histori.
Lionel Mesi doli në fushë për herë të fundit si kapiten i Argjentinës, në sfidën ndaj Beninit modest, programuar pikërisht për përcjelljen e tij në përjetësi. Mbi 85 000 spektatorë ishin në tribuna, me personalitetet argjentinase, me gruan e tij, Antonelën, dhe mamanë Selia Maria.
Vetë legjenda doli me djemtë e tij në krah gjatë himnit, ndërsa edhe trajneri Skaloni ishte në lot. Miqësorja ishte e gjitha për të, edhe pse kontributi i tij do të vononte. Pas një pjese të parë tepër aktive, Leo u çlirua në të dytën.
Shërbeu asistin për Otamendin në 48’, i cili gjithashtu i dha lamtumirën kombëtares në moshën 38-vjeçare, duke shënuar gol. Më pas dha pasimin për golin shumë të bukur nga Niko Paz për 2-0 kur kishte kaluar fare pak nga një orë lojë.
Ylli I Komos në Serinë A padyshim që pati meritën kryesore në golin shumë të bukur. Vetë Mesi nuk mundi të shënonte përveçse me penallti, por e bëri. Në 71’, mori përsipër 11-metërshin dhe nuk gaboi.
Ishte ikja e duhur, ishte goli numër 126 në 208 ndeshje për Argjentinën, i dyti më i miri për të gjitha kohës pas Kristiano Ronaldos. Po ashtu janë 69 asiste, si rekordmen I historisë për kombëtaret.
Magjistari 41-vjeçar qendroi në fushë deri në fund dhe përcjellja ishte madhështore.
Edhe vetë arbitri kilen, Fernando Vijar, I dha kartonët e tij në shenjë respekti. Mbi 85 000 i dhanë lamtumirën legjendës që nuk do të kthehet më me fanelën bardhekaltër, pasi fitoi Botërorin, arriti një tjetër finale, dhe triumfoi në Kupa të Amerikës. Edhe për një të përjetshëm ekziston një fund./abcnews.al


