41-vjeçari turk Harun Çelik, i dëbuar të mërkurën nga autoritetet shqiptare drejt Turqisë me “Air Albania” është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 13 muaj burg për falsifikim vize me qëllimin kalimin nga Shqipëria drejt Kanadasë. Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës më datën 19 dhjetor 2019, vetëm pak ditë para lirimit të tij nga qelia.
Vetëm pak ditë para lirimit nga qelia, 41-vjeçari turk Harun Çelik, i dëbuar të mërkurën nga autoritetet shqiptare drejt Turqisë është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 13 muaj burg për falsifikim vize me qëllimin kalimin nga Shqipëria drejt Kanadasë. Abc News zbardh vendimin e Gjykatës së Tiranës për dënimin e Çelik, i cili u arrestua në datën 8 korrik 2019 nga autoritetet policore shqiptare në Aeroportin e Rinasit.
Pas arrestimit ai është mbajtur në paraburgim, ndërsa vijonin hetimet dhe gjykimi i çështjes u bë me procedurë të shkurtuar. Më 19 dhjetor 2019, Gjykata e Tiranës e ka shpallur atë fajtor për veprën e “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” duke e dënuar me 13 muaj burg. Si pasojë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur me 1/3, duke arritur në 8 muaj e 20 ditë.
Debimi i mësuesit turk Harun Çelik, baba i 4 fëmijëve, është pasqyruar gjerësisht në disa portale turke, të cilat kanë publikuar edhe pamje nga momenti i dërgimit të tij në aeroportin e Rinasit, për t’u nisur më pas drejt Turqisë. Ndërkohë, mësohet se 41-vjecari e ka refuzur me forcë deportimin drejt Turqisë, ku ka deklaruar se ndihej i kërcënuar.
Mediat turke thonë se 41-vjecari është sjellë në Turqi pas një operacioni të shërbimeve sekrete turke të kryer në Shqipëri. Mediat turke, shkruajne se Çelik është dërguar direkt për në Turqi pas lirimit nga burgu dhe nuk i janë marrë parasysh as kërkesat që ka bërë për mbrojtje.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u ka kërkuar disa shteteve që të dërgojnë në Turqi për përndjekje penale çdo person të lidhur me lëvizjen globale Gulen, të cilën ai e akuzon si organizatore të grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.
Në shkurt 2015, Kosova dëboi 5 shtetas të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE dhe SHBA për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave themelore të njeriut. Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi për këtë vendim kreun e Shërbimeve Sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin. /abcnews.al