Është identifikuar viktima e aksidentit detar të ndodhur në Gjiri i Ksamilit. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Albiano Kreci, i cili dyshohet se drejtonte një mjet lundrues tip motor uji.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti i drejtuar nga i riu është përplasur me një skaf të Policia Kufitare e Sarandës në ujërat e Gjirit të Ksamilit.
Si pasojë e përplasjes, 20-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit me autoambulancë, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
“Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare. Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet gjithashtu se mjeti lundrues që drejtonte viktima është mbytur pas përplasjes.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.



