PS ka festuar 35-vjetorin e themelimit, në qarqet kryesore të vendit, analisti Martin Leka i ftuar në emisionin “NewsRoom” në ABC News, vlerësoi se kjo forcë politike ka pësuar një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe një dinamikë krejt tjetër përgjatë viteve.
Sipas tij, nën udhëheqjen e Edi Ramës dhe përmes ndryshimeve kolosale në vizion e qasje, PS është shndërruar në forcën kryesore qeverisëse në vend duke siguruar katër mandate.
Leka theksoi se pavarësisht ndryshimit të konceptit të saj ndër vite, partia ka mbetur një strukturë solide, ku një rol themelor pas rënies së komunizmit ka pasur edhe ish-lideri Fatos Nano.
“Ka një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe një dinamikë tjetër PS, që nga themelimi i saj. Madje shpesh herë kemi thënë që PS është shndërruar në një nga forcat kryesore në qeverisjen e vendit, me 4 mandate të fituara dhe nënë udhëheqjen e liderit të saj, Edi Rama.
PS në këto vite ka bërë ndryshime kolosale, që kanë lidhje me vizionin dhe qasjet e kryetarit të partisë. Ka ndryshuar koncepti i PS. Në këto 35 vjet është një forcë që ka mbetur solide. Fatos Nano ka një rol themelor në PS pas rënies së komunizmit”, tha Martin Leka.



