Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar çështjen e dosjes “Partizani”, duke e cilësuar atë si një nga aferat më të mëdha korruptive të periudhës së qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Beqiri deklaroi se në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv janë shkelur rëndë ligjet në fuqi dhe se, sipas tij, SPAK duhet të kishte hetuar çështjen si veprimtari të një organizate kriminale.
Ai ngriti gjithashtu akuza ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë, duke pretenduar se përgjegjësitë për këtë çështje shkojnë përtej personave aktualisht nën hetim.
“Arritën që të shkelnin rëndë ligjin që bënë vetë. Ishte kompleksi Partizani, i shërbente një interesi të madh publik, atëherë kështu duhet të jetë, pasi të bëhet privatizimi i saj. Shkelën me të dyja këmbët dhe ia dhënë pronarit, por pronari është shteti shqiptar. Bëhet fjalë për një aferë të përmasave të mëdha.
Zinxhiri është i madh dhe kemi të bëjmë me një organizatë kriminale. Kjo qe individuale vetëm për dhëndrin dhe vajzën e Sali Berishës. SPAK duhet të akuzonte dhe të ngrinte akuzat si një organizatë kriminale, për Berishën, Bashën dhe Oerd Bylykbashit.
Pse nuk merren të pandehur këta?! Kompleksi Partizani është maja e ajsbergut të korrupsionit të madh shtetëror që ka bërë Berisha gjatë qeverisjes së tij. Fajësia e Berishës dhe Malltezit në këtë dosje është shumë e dukshme. Ndaj Berishës rëndojnë dhe faje të tjera, si urdhërime vrasjesh”, tha Beqiri.


