Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Resortet luksoze motor i ekonomisë”, Rama: Kjo është luftë hibride, që do mbarojë!

schedule13:01 - 3 Qershor, 2026

schedule 13:01 - 3 Qershor, 2026

Në fjalën e tij për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama, tha se resorted luksoze janë motor i ekonomisë dhe për këtë solli shembullin e Malit të Zi. Rama e konsideroi një luftë hibride gjithë sa po ndodh, luftë për të cilën u shpreh se do të mbarojë.

“Kush nuk ka kuptuar akoma këtë, nuk ka për ta kuptuar as me fjalën e agjencive ligjzbatuese, por ju e dini, të paktën dihet botërisht, sepse për këtë jemi të respektuar edhe brenda NATO-s. Kemi një ndër mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik dhe që do të thotë kemi një pasqyrë shumë të plotë se nga vijnë e ku shkojnë, po natyrisht ky nuk është një territor i terrorit kibernetik, ky është një territor i luftës hibride që zhvillohet, për të cilin kemi dëgjuar nga vende të tjera dhe e cila ka ardhur dhe këtu në vendin tonë. Janë të panumërta burimet e botës demokratike që kanë nxjerrë raporte dhe studime se si forcat kundër Bashkimit Europian, forcat kundër zhvillimit të vendeve që i duan nën sqetull, apo që nuk i duan të forta, organizojnë dhe nxisin dhe orkestrojnë situata të kësaj natyre, duke përdorur në radhë të parë, çështjet e ambientit, sepse tek çështjet e ambientit ka sensibilitet shumë të madh dhe tek çështjet e ambientit ndodh pikërisht ajo gjëja që bashkohen vëllezërit e ‘’Agimit të Artë’’, që orkestrohen nga ‘’ustallarë’’ si ata të ‘’Agimit të Artë’, në emër të Shqipërisë së shqiptarëve, me shqiptarë, vajza, djem , të reja e të rinj, me qasje atdhedashurie ndaj natyrës të cilët ndihen të lënduar.

Pikërisht këtë dinë këto forca që bëjnë gjëra të tilla, kjo është një luftë hibride po nuk ka fare dyshim që kjo luftë do mbarojë dhe që gjithkush do të marrë atë që i takon dhe mbi të gjitha që Shqipëria dhe shqiptarët do të marrin të ardhurat që ju takojnë për të rritur ekonominë, për të rritur Shqipërinë në të gjitha aspektet por natyrisht edhe në aspektin kryesor që është ekonomia, sepse injoranca nuk është asnjëherë argument dhe unë duke qenë se i druhem shumë injorancës time, për shkak se më duhet të flas për shumë fusha për shkak të detyrë, të cilat nuk kam sesi t’i njoh vetvetiu dhe as nuk mund të shkoj pas Berihajit; lexoj shumë, mësoj shumë sepse mbaj përgjegjësi për ato që them dhe nga ana tjetër, duhet të përballem, duhet të përballemi me njerëz që thonë, “po për ça na duhen ne resortet luksoze se ato nuk janë për ne”. Në fakt, e kundërta është e vërtetë; resortet luksoze janë ato që sjellin të ardhurat më të larta në ekonomi nga turizmi dhe këto janë shifra, për këto nuk ka nevojë të më dëgjoni mua, madje tani që të rinjtë kanë edhe ‘’ChatGPT’’ apo të tjera platforma të inteligjencës artificiale, mund t’i pyesin dhe t’i thonë: “unë jam një shqiptar që nuk kam të ardhura nga familja ime dhe familja ime nuk i ka të ardhurat për të shkuar në një resort luksoz, pse duhet unë ta pranoj ndërtimin e resortit luksoz”. Dhe do të marrë përgjigjen që resorti luksoz prodhon të ardhura për të, sepse është diçka e studiuar dhe e bazuar në fakte, e nënvijëzuar nga organizatat më serioze ndërkombëtare, që 1 euro që hyn në një resort luksoz, shoqërohet me 1.6 deri në 2 euro që hyjnë në ekonominë lokale të atij vendi. Se resorti luksoz nuk ndërtohet në hënë, ndërtohet në një realitet rreth të cilit ka njerëz dhe është një realitet ku vijnë njerëz, të cilët konsumojnë produktet rreth e rrotull, të cilët shfrytëzojnë shërbimet rreth e rrotull dhe të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit sepse rritja e të gjithë zinxhirit ekonomik, sjell dhe rritjen e të ardhurave për shtetin. Dhe nga ato të ardhura shteti paguan paga dhe pensionet dhe nuk ka nevojë për të qenë shkencëtarë, as për të studiuar inxhinieri mjedisore apo për të studiuar makroekonomi, mjafton të shikojnë Malin e Zi. Dhe pyetja është shumë e thjeshtë. Mali i Zi nuk prodhon raketa, Mali i Zi nuk prodhon makina, Mali i Zi nuk ka ndonjë sektor aq të suksesshëm të teknologjisë digjitale si vendet e tjera. Ça prodhon Mali i Zi? Cili është motori më i madh ekonomik i Malit të Zi? Turizmi! Atëherë si shpjegohet që në Mal të Zi prej kohësh pagat janë më të lartat në rajon me diferencë të madhe. Ne kemi filluar tani që t’i afrohemi Malit të Zi se kemi qenë m’ysybet në raport me Malin e ZI. Si shpjegohet që pensionet në Malin e Zi janë në një nivel tjetër? Përgjigjja është shumë e thjeshtë; resortet luksoze. Kaq e thjeshtë është. Kështu që nuk kam asnjë dilemë unë për këtë dhe nuk kam asnjë arsye që të mendoj se me vetëdijen time, Shqipërisë i duhet hequr qafe ky projekt.” tha Rama./abcnews.al



 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!