Niveli i kredisë për ekonominë shqiptare i është rikthyer rritjes. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë prillit sektori bankar aprovoi 39.1 miliardë lekë kredi të reja, duke u rritur me gati 19% krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Ndikimin më të fortë në këtë ecuri duket se e ka dhënë segmenti i biznesit ku kredia e re gjatë muajit u rrit 25% me bazë vjetore, ndërsa te individët rritja ishte më e kufizuar, me afërsisht 8% më shumë.
Nga të dhënat e Bankës Qendrore rezulton se kreditë e reja për korporatat jofinanciare private arritën në 25.5 miliardë lekë në prill, nga 20.5 miliardë lekë një vit më pare.
Kufizimet e vendosura për huatë e dhëna për banesa duke se e kanë ngadalësuar disi këtë segment nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kreditë e reja për këtë kategori arritën në 6.6 miliardë lekë, nga 7.03 miliardë lekësh në prill të vitit të kaluar. Këto shifra konfirmojnë faktin se bizneset në vend po shtojnë investimet.
Ecuria e kreditimit rezulton se është pozitive edhe nëse bëjmë një krahasim si periudhë 4 mujore.
Në periudhën janar-prill, sektori bankar ka aprovuar 137.7 miliardë lekëve, ose 6.1% më shumë krahasuar me një vit më parë ku për të njëjtën periudhë u disbursuan 129.8 miliardë lekë.
/abcnews.al/


