TIRANË- Dy standardizimi i Gjykatës së Posaçme për mënyrën se si trajtohet një i paraburgosur është sjellë sërish në vëmendje nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili po gjykohet për dy çështje penale, ku në njërën prej tyre ka masë sigurie arrest në burg, ndërsa në tjetrën detyrim paraqitje.
Në procesin penal të njohur si “SASPAC”, Beqaj nuk lejohet nga Gjykata e Posaçme të qëndrojë në sallën e gjyqit pranë avokatit të tij, ndërsa në çështjen tjetër për instrumentet kirurgjikale kërkesa e tij për të qëndruar jashtë kafazit të qelqit u pranua nga trupi gjykues.
Beqaj ka bërë një paralelizim të situatës, duke theksuar se në një rast gjykata e cilëson si person të rrezikshëm dhe e mban të izoluar, ndërsa në një tjetër vlerësohet se nuk përbën rrezik për sigurinë apo për arratisje nga salla e gjyqit.
Sipas tij, në seancën e zhvilluar më 21 maj për procesin e Sterilizimit, ai ka qëndruar në sallë pa krijuar rrezik për largim, ndikim mbi prova apo dëshmitarë, dhe pa shkaktuar probleme sigurie.
Beqaj shoqërohet nga e njëjta administratë burgjesh në të dyja proceset, por për njërin rast mbahet i izoluar, ndërsa në tjetrin trajtohet njësoj si pjesëmarrësit e tjerë në gjykim.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura për trajtim të njëjtë edhe në procesin “SASPAC”, ato nuk janë marrë parasysh nga gjyqtarja e hetimit paraprak.
Në këtë çështje, Beqaj akuzohet për disa vepra penale nga Prokuroria e Posaçme për kohën kur drejtonte agjencinë SASPAC, ku organi i akuzës dyshon se ai ka abuzuar me fondet e Bashkimit Europian./abcnews.al


