Dy ditë pasi Gjykata e Lartë ndryshoi praktikën për masat e sigurimit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, iu drejtua me rekurs shkallës së tretë të gjyqësorit me kërkesën për t’u liruar nga qelia e paraburgimit.
Veliaj ka ofruar garanci pasurore dhe kërkon lirimin nga burgu me masën “detyrim paraqitje”, teksa rekursi do të shqyrtohet më 28 maj nga treshja penale e përbërë nga Albana Boksi si relatore, me anëtarë Genti Shalën dhe Sokol Binajn.
Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara dha efekt të menjëhershëm për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, së cilës iu hoq masa e arrestit në shtëpi dhe iu zëvendësua me detyrim paraqitje dhe bllokim pasaporte.
Ky ishte rasti i parë që Gjykata e Lartë ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndryshimin e masës së sigurimit për një zyrtar të këtij niveli.
Ndryshime pati edhe në rastin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili në seancën e së hënës në GJKKO përdori si argument vendimin për Karçanajn, duke kërkuar edhe ai lehtësim mase, por kërkesa nuk u mor parasysh. Madje, sipas SPAK, vendimi që u iniciua nga Sokol Sadushi nuk sjell asgjë të re në procesin penal ndaj Metës.
Në seancën e 28 majit, në rekursin e tretë që Veliaj depoziton në Gjykatën e Lartë, por i pari pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara, mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë treshja e kolegjit penal: nëse do të pranohen argumentet e kryebashkiakut për lirimin nga qelia, apo nëse rekursi nuk do të merret parasysh.
Veliaj akuzohet nga SPAK për 13 akuza, përfshirë 9 raste korrupsioni, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje apo mbajtje sendesh të paligjshme në qeli.



