Ish-presidentja Vjosa Osmani i ka quajtur “dezinformata” deklaratat e disa “njerëzve brenda politikës” se ajo po i takon qytetarët vetëm këto ditë, dhe se këtë nuk e kishte bërë gjatë mandatit të saj presidencial.
Ajo publikoi një video në Facebook, ku ka ndarë edhe fotografi nga vizitat e saj brenda vendit gjatë mandatit si presidente.
“Përshëndetje. Meqenëse ka njerëz brenda politikës që po ankohen pse po i takoj qytetarët këto ditë, e disa madje dezinformojnë se këtë nuk e kam bërë më herët, ja e vërteta”, tha ajo.
Osmani tha se “këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë”. Përgjatë pesë viteve mandat, vazhdimisht kam vizituar komunat, kam takuar qytetarët, kam mbështetur grupet e margjinalizuara, kam qenë pranë njerëzve të vyer e të urtë të vendit tonë. Ajo tha se bazamenti i angazhimit të saj do të mbetet “lidhja me qytetarët”.
Ende nuk është e qartë nëse Osmani do të bashkohet me LDK apo do formojë një subjekt të vetin politik për zgjedhjet e ardhshme në vend.
/abcnews.al/


