Leo Messi është një nga ata futbollistë që do të mbetet në histori, ndërkohë që në Argjentinë te River Plate do ta kenë gjithmonë peng pse nuk e morën “Pleshtin” në akademinë e tyre në gusht të vitit 2000. Argjentinasi ishte vetëm 13 vjeç dhe e mahniti trajner Edoardo Abrahamian, gjatë provës një javore.
Vetë ai ka zbuluar gjithçka në një deklaratë të dhënë për “Goal America”. “Mesi krijoi një impakt që në stërvitjen e parë. Ai ishte shumë i vogël, por mua nuk më interesonte madhësia e tij, por aftësitë teknike, që i kishte me shumicë.
Ai ishte mbresëlënës dhe shënoi 12 gola brenda 3-4 ditësh. Lajmërova drejtorin e përgjithshëm të klubit dhe i thashë të vinte të shihte djaloshin. Messi kishte diçka befasuese, si kualitetin teknik, shpejtësinë dhe mënyrën se si i shmangte kundërshtarët.
Drejtuesit duhet të flisnin me të atin për ta sjellë atë në klub. Unë e dëshiroja Mesin te Riveri, por drejtuesit duhet të akomodonin të atin dhe familjen e tij. Nuk mund të shohësh çdo ditë një lojtar si Leo, i cili bënte diferencën dhe ishte i jashtëzakonshëm.
Ai luante futboll me gëzim dhe freski, por kishte disa gjëra që duhet të zgjidheshin. Isha i bindur, që ai mund të luante në nivele të larta. I thashë klubit që lojtari ka cilësi të mëdha, por ata më thanë që kanë disa lojtarë si ai në ekip.
Riveri nuk e kuptoi që investimi për të ishte pothuajse asgjë. Kur Boca Juniors investoi te Maradona, ai luante në kategorinë e parë me Argjentina Juniors. Boca investoi te Diego dhe pagoi për të. Riveri duhet të kishte bërë të njëjtën gjë me Mesin”, përfundon Eduarto Abrahamian. Më pas Messi bindi Barcelonën dhe tashmë ka shkruar historinë me katalanasit. /abcnews.al