Partia Demokratike kërkon nga prokuroria prova konkrete se po hetohet përgjegjësia e qeverisë për dëmet në shkolla gjatë tërmeteve. Zyrtarët demokratë ishin në Bubq dhe Pezë, ku shkollat janë dëmtuar. Ata akuzojnë shtetin për mungesë investimesh, duke thënë se nëse tërmeti do të ndodhte ditën, qindra fëmijë do të ishin lënduar.
“Në këtë shkollë nuk është bërë asnjë investim, asnjë rikonstruksion. Shkolla është shembur, është jo funksionale dhe e kanë shembur pa pritur hetimet. Po të kishte ndodhur ditën çfarë katastrofe humanitare do t’u ndodhte fëmijëve?! Ngutja për të zhdukur gjurmët si në Thumanë, rasti që është zhdukur gjithçka këtu, nuk kemi asnjë interesim, megjithëse është shkollë e mesme e bashkuar me 280 nxënës. Këta fëmijë i ka shpëtuar Zoti në një lloj kuptimi”, deklaroi Gjata.
Ndërkohë Partia Demokratike ka theksuar se kërkon hetim konkret nga Prokuroria.
“I nderuar prokuror i përgjithshëm, prokuror i rrethit të Krujës, Durrësit apo SPAK-ut, kushdo që e ka në dorë, ka mundësi të shohim diçka konkrete nga ju? Duhet filluar se kush i dha këto leje, kush i bëri këto tenderime, kush i mori në dorëzim këto shkolla”, tha ndër të tjera Gjata.
PD është ndalur dhe në një tjetër shkollë, përgjegjësi e Bashkisë Tiranë.
“Këtu jemi në Pezë Helmës, në shkollën 9-vjeçare të Pezës. Sigurisht, ka dalë jashtë përdorimit nga tërmeti I fundit. U bënë 31 ditë që qeveria nuk po hedh sytë nga kjo shkollë ku 400 nxënës bëjnë shkollën në Vaqarr, larg familjeve të tyre”, deklaroi ish-deputeti i PD, Astrit Veliaj.
“E shoh të nevojshme si kërkesë që të bëhet një shkollë e mesme, sepse të gjithë banorët janë këtu, nga Ura e Beshirit tek Peza e vogël është popullsia më e dendur. Dhe nëse shqetësimi ynë shkon në veshin e duhur, e kemi të nevojshme një shkollë tre katëshe. Ju lutem që kërkesa jonë të realizohet dhe të merret parasysh mendimi ynë”, u shpreh një prej banorëve.