David Silvës i përfundon kontrata me Manchester Cityn në fund të këtij sezoni. Mesfushori mbush 34 vjeç në janar dhe e ka të qartë që nuk mund të luajë edhe shumë vite në nivele të larta.
Rinovimi nuk po vjen dhe vera pritet ta rikthejë spanjollin te Valencia, ekipi i tij i zemrës dhe prej nga erdhi te “Cityzens” në vitin 2010. Drejtuesit e klubit anglez po kërkojnë për një zëvendësues të Silvës dhe e kanë gjetur në Holandë.
EPSN raporton se City po monitoron dhe pëlqen shumë Mohamed Ihattaren, 17-vjeçarin e PSV. Mesfushori ofensiv nga Maroku është pjesë e ekipit të parë të PSV-së prej janarit të këtij viti.
Ihattaren është aktivizuar në 24 ndeshje këtë sezon dhe ia ka dalë të shënojë 5 herë mes kampionatit dhe Europa League. Adoleshenti është edhe pjesë e Holandës U19 dhe ka shënuar dy gola në 10 ndeshje të zhvilluara. /abcnews.al