Çmimi i arit të zi ka pësuar një rritje të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare. Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent u rrit në 103.17 dollarë për fuçi duke pësuar një shtrenjtim me 5 dollarë në më pak se një ditë.
Ky reagim i tregjeve të energjisë erdhi pas ngecjes së bisedimeve të paqes midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ndërsa të dy vendet ruajtën kufizimet në rrjedhën e tregtisë përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Tregu i naftës po rivlerëson pritjet me pak shenja përparimi në gjetjen e një zgjidhjeje në Gjirin Persik”, thanë analistët duke shtuar se shpresat për një zgjidhje po veniten ndërsa bisedimet e paqes ngecin.
Po ashtu edhe sekuestrimi nga Irani i dy anijeve që përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit është një tregues se ndërprerjet e dërgesave do të vazhdojnë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zgjati armëpushimin midis vendeve pas një kërkese nga ndërmjetësuesit pakistanezë, ndërsa të dy vendet ende po kufizojnë tranzitin e anijeve përmes ngushticës, ku kalon rreth 20% të furnizimeve ditore globale të naftës .
Irani sekuestroi dy anije në rrugën ujore të mërkurën, duke e shtrënguar kontrollin e tij mbi pikën strategjike të pengimit. Trump gjithashtu ka mbajtur një bllokadë të Marinës Amerikane ndaj tregtisë së Iranit nga deti, dhe kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor tha se një armëpushim i plotë kishte kuptim vetëm nëse bllokada hiqej.
Shefi agjensisë ndërkombetare të Energjisë ka paralajmëruar më parë se lufta me Iranin dhe mbyllja e vazhdueshme e Ngushticës së Hormuzit do të rezultojnë në “krizën më të madhe energjetike me të cilën jemi përballur ndonjëherë”.


