Kosova ka përfituar 61.8 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi vendi dorëzoi dokumentet e nevojshme në Komisionin Evropian dhe ratifikoi marrëveshjet e lidhura me planin.
Shefja në detyrë e Bashkjimit Europian në Kosovë, Eva Palatova tha se unioni synon ta ndihmojë Kosovën në forcimin e ligjit, avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital si dhe të nxisë qëndrueshmërinë ekonomike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi është i përkushtuar për zbatimin brenda afateve të Agjendës së Reformave në mënyrë që të shfrytëzojë mundësitë e ofruara nga plani i rritjes.
Më 13 shkurt, legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ratifikoi marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian. Këto marrëveshje kapin vlerën prej 882 milionë eurove.
Vitin e kaluar Kosova u përball me një krizë politike dhe mungesë të institucioneve të reja. Kjo situatë ngriti shqetësime lidhur me rrezikun e humbjes së këtyre fondeve, pasi marrëveshjet nuk ishin ratifikuar.
Shuma prej 61.8 milionë eurosh e parafinancimit, sipas Brukseit është 7 për qind e totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi me kushte të favorshme për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike.
Bashkimi Europian tha se Kosova është zotuar se do të zbatojë 111 hapa reformash, që përfshijnë fusha si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.
Afati i parë 13 hapa të reformave që kapin vlerën e 90.8 milionë eurove – është deri më 30 qershor të këtij viti. Në fund të këtij viti do të jetë afati i fundit për 27 hapa të tjera që kapin vlerën e 165.9 milionë eurosh./abcnews.al


