Presidenti amerikan Donald Trump tha në një intervistë për Fox News se lufta me Iranin është afër fundit.
Trump la të kuptohet gjithashtu se negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit, të cilat nuk arritën në një zgjidhje në një raund fillestar bisedimesh në Pakistan gjatë fundjavës, mund të rifillojnë. Sipas presidentit amerikan diçka mund të ndodhë gjatë dy ditëve të ardhshme.
Deklarata të ngjashme Trump i bëri edhe për Sky News, duke i thënë gazetarit Mark Stone se është shumë e mundur që një marrëveshje me Iranin të arrihet deri në kohën kur Mbreti viziton SHBA më vonë këtë muaj.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha gjithashtu Trump dëshiron të bëjë një “marrëveshje të madhe” me Teheranin.
Ai përsëriti pretendimin e tij se, pavarësisht dështimit për të arritur një zgjidhje, SHBA kanë bërë një përparim dhe theksoi se ai vetë do të bëjë gjithçka që një marrëveshje të arrihet.
Kapaciteti bërthamor i Iranit dhe hapja e Ngushticës së Hormuzit janë pikat kryesore të pengesave në negociatat për çdo marrëveshje.
Ushtria amerikane pretendon se ka ndaluar plotësisht tregtinë ekonomike që hyn dhe del nga Irani nëpërmjet detit.
Ajo thotë se bllokada amerikane e porteve iraniane, e cila hyri në fuqi më herët këtë javë, është “zbatuar plotësisht” dhe ka siguruar që forcat amerikane “të ruajnë epërsinë detare në Lindjen e Mesme”.
Por më shumë se 20 anije tregtare kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit në 24 orët e fundit, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Marina amerikane ka thënë se anijet që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit për në dhe nga portet jo-iraniane po mbështeteshin nga forcat amerikane.


