TIRANË– Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i pranishëm në Samitin e IV të Diasporës që po zhvillon punimet në Tiranë, u shpreh se shqiptarët duhet të jenë më të bashkuar kur vjen puna në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Ai u ndal tek çështja e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shtoi se të drejtat e fituara kurrsesi nuk mund të bëjnë hapa pas. Më tej, Abazoviç theksoi se ardhmëria e shqiptarëve është në Bashkimin Europian dhe se pa shqiptarët nuk ka progres në Ballkanin Perëndimor.
“A jemi duke bërë atë çfarë duhet? Unë mendoj se sot jemi duke bërë atë çfarë duhet. Nëse ky samit nis një mesazh unik, kur të dalin nga dera e pallatit dhe kur shkojmë pas, duhet të jemi unikë në mbrojtje të të drejtave tona.
Unë kam dëshirë të nis një mesazh që ka të bëjë pikë së pari me Maqedoninë e Veriut. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm që të mbështesim shqiptarët për të drejtat që janë arritur. Duhet të jemi unikë dhe së bashku të gjithë.
Ne së bashku duhet të integrohemi në Bashkimin Evropian. Aty do të jemi të gjithë së bashku dhe ajo do të jetë arritje historike për të gjitha gjeneratat. Ne duhet të frymëzojmë njëri-tjetrin. Nëse nuk do të bashkëpunojmë, ne do të shkojmë në konflikt. Të bashkohemi, të kemi respekt për njëri-tjetrin dhe të jemi të kënaqur kur çdokush prej nesh bën ndonjë sukses. Pa shqiptarë në rajon nuk ka progres. Ardhmëria jonë është në Bashkimin Evropian.”, tha ai/abcnews.al


