Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me fermerët në Lushnjë, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe orientimit të drejtë të investimeve në sektorin e bujqësisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te nevoja që fermerët të fokusohen jo thjesht te sigurimi i fondeve, por te mënyra se si ato përdoren për të rritur prodhimin dhe fitimin.
Ai nënvizoi se koha për diskutime të gjata ka kaluar dhe se vetëm përmes bashkimit në prodhim dhe treg, fermerët mund të arrijnë përfitime konkrete, duke përmendur një rritje prej 30% të të ardhurave si rezultat i bashkëpunimit.
Kryeministri shtoi gjithashtu se qasja e re e financimit do të mbështesë kryesisht ata që janë të gatshëm të zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe të punojnë në mënyrë të organizuar, ndërsa kritikoi debatet politike që, sipas tij, deformojnë mesazhet mbi çështje të rëndësishme si ajo e karburanteve.
“Për të gjithë ata që e shohin bujqësinë si mundësinë e tyre për të ndërtuar jetën dhe mirëqenien, biem dakord që nuk është paraja çështja jonë kryesore, është që të kuptojmë saktësisht se çfarë duhet të bëjmë me paranë për të ecur përpara në ndërmarrjen tonë. Koha nuk pret, kemi kohë që flasim. Vetëm duke u bashkuar, secili fiton 30% më shumë, është një llogari e bërë. 30% më shumë fitohet vetëm duke u bashkuar. Vetëm në prodhim, bashkë në shitje.
Praktika është shumë e thjeshtë, secili ka tokën e vet, ama kur del në treg krijon masë, garanci dhe qëndrueshmëri. Ne në të gjithë qasjen e re të financimit kemi vendosur në fokus, ata që duan të rriten dhe të financohen, ata që duna të punojnë. Dje folën në Berat për naftën, është e neveritshme se si për hir të një lufte të verbër, angazhohet një luguni e tërë tenxheresh për ta nxjerrë komplet nga konteksti atë që duam të themi”, tha Rama.


