Në një intervistë për emisionin “Të Gjitha rrugët të çojnë në Romë” me gazetarin Artur Nura, gjenerali i Korpsit të Armatës Italiane Carmine De Pascale ndau përvojën e tij ushtarake në Ballkan dhe vlerësimet mbi zhvillimet aktuale në rajon.
De Pascale kujtoi angazhimin e tij gjatë vitit 1999, kur si komandant i Regjimentit të Tetë Bersaglieri u dislokua në Maqedoninë e Veriut, në kufi me Kosovën, në kuadër të operacioneve të NATO kundër regjimit të Sllobodan Millosheviç. Misioni i tij përfshinte gatishmërinë për evakuimin e vëzhguesve të OSBE dhe ndërhyrje të mundshme në Kosovë.
Sipas tij, Ballkani mbetet një prioritet gjeostrategjik për Italinë për shkak të afërsisë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe stabilitetin italian. Ai theksoi rëndësinë e paqes, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian për vendet e rajonit.
Gjenerali vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Italisë dhe Shqipërisë, duke nënvizuar afërsinë kulturore dhe vlerat e përbashkëta demokratike. Ai shprehu mbështetjen për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimi Evropian, duke e konsideruar këtë proces të rëndësishëm për forcimin e Evropës në tërësi.
Në përfundim, De Pascale theksoi mikpritjen shqiptare dhe shprehu dëshirën për të vizituar sërish Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një vend ku “jetohet mirë” dhe me lidhje të forta historike e gjeopolitike me Italinë.
Intervista e plotë:
Artur Nura : Atëherë, përshëndetje gjeneral Carmine De Pascale.
Gjeneral Carmine De Pascale: Pershendetje juve.
Artur Nura :Ndërkohë jemi në ABC News Albania dhe do të doja të dija për teleshikuesit tanë përvojën tuaj italo-shqiptare, italo-ballkanike.
Gjeneral Carmine De Pascale: Po, mirë, kur kam qenë i angazhuar në Ballkan, isha komandant i një regjimenti, një regjiment Bersaglieri, konkretisht Regjimenti i Tetë Bersaglieri, dhe kam shkuar me regjimentin tim në shkurt të vitit 1999, në kohën kur kishim ndërhyrjen e NATO-s ndaj Serbisë me bombardime. Unë isha i dislokuar me këtë regjiment në Maqedoninë e Veriut, në kufi me Kosovën. Atje prisnim me detyrën për të evakuuar vëzhguesit e OSBE-së nëse do të ishte e nevojshme dhe më pas, nëse bombardimet nuk do të përfundonin, të hynim me forcë në Kosovë. Kjo për t’i dhënë fund shtypjes së Sllobodan Miloseviç ndaj popullit?
Artur Nura: Momente të rëndësishme, si në karrierën profesionale ashtu edhe në atë njerëzore.
Gjeneral Carmine De Pascale: Sigurisht, një moment profesional me vlerë të lartë sepse ishte një angazhim real në operacion.
Artur Nura : Saktë.
Gjeneral Carmine De Pascale: Pra bëhej fjalë për të vënë në praktikë gjithë trajnimin e bërë në atdhe dhe për t’iu përgjigjur urdhrave të eprorëve në mënyrën më efikase të mundshme. Pra është detyra tipike ushtarake.
Artur Nura : Tashmë ju jeni në pension. Ju lexoj rregullisht në artikujt që shkruani mbi gjeopolitikën dhe besoj se është e rëndësishme që qeveritë t’i marrin parasysh mendimet e atyre që kanë përvojë ushtarake dhe jo vetëm. Si i shihni sot Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë?
Gjeneral Carmine De Pascale: Ballkani për Italinë, për shkak të afërsisë gjeografike, është një prioritet gjeostrategjik, sepse gjithçka që ndodh në Ballkan reflektohet në Itali. Prandaj kemi interes për stabilitet politik, zhvillim ekonomik drejt sistemit evropian, stabilitet social dhe mirëqenie për popujt e rajonit. Kjo është edhe garanci për ne, ndaj gjithmonë mbështesim proceset e paqësimit në rajon.
Artur Nura :Me të drejtë. Si i shihni marrëdhëniet italo-shqiptare? Keni qenë ndonjëherë në Shqipëri?
Gjeneral Carmine De Pascale: Po, kam qenë disa herë në Shqipëri, edhe sepse kam një djalë në Guardia di Finanza në Vlorë. Kjo ka qenë një mundësi për të kaluar kohë në Shqipëri. Mendoj se marrëdhëniet me Shqipërinë janë shumë të mira dhe është në interesin tonë t’i forcojmë ato. Besoj se edhe për Shqipërinë është e rëndësishme të ketë marrëdhënie të mira me ne, sepse popujt tanë janë të afërt dhe kanë shumë gjëra të përbashkëta.
Shoh që ju flisni italisht, ndiqni jetën dhe zhvillimet në Itali, dhe kjo na bën disi si vëllezër në shumë aspekte, në jetën shoqërore dhe mënyrën e jetesës. Kemi edhe vlera të përbashkëta, si ato demokratike dhe të lirisë. Këto janë vlera që forcojnë një popull dhe besoj se janë të përbashkëta për Italinë dhe Shqipërinë.
Artur Nura :Sipas meje, duke njohur historinë dhe gjeopolitikën, Italia duhet të jetë vendi i parë që kujdeset për Ballkanin Perëndimor, si anëtare e NATO-s, BE-së dhe G7. A jeni dakord?
Gjeneral Carmine De Pascale: Po, jam dakord, sepse Italia dhe Shqipëria kanë interes që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe ne e mbështesim këtë proces. Kjo e bën familjen evropiane më të madhe. Kur një shtet lihet pas dore nga komuniteti ndërkombëtar, ai mund të marrë çdo drejtim. Ne kemi interes që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit të orientohen drejt Perëndimit dhe të ndajnë vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës.
Rruga drejt Bashkimit Evropian është rruga e duhur për ta bërë Evropën më të fortë. Kjo është një politikë që ndiqet jo vetëm nga Italia, por nga të gjithë vendet e BE-së. Prania e vendeve si Shqipëria në këtë drejtim na forcon të gjithëve dhe na bën më të mirë në aspektin e vlerave të përbashkëta.
Artur Nura : Pajtohem plotësisht. Për ta mbyllur, kur do të vini në Shqipëri për vizitë?
Gjeneral Carmine De Pascale: Shpresoj sa më shpejt, sepse Shqipëria është një vend që i pret shumë mirë vizitorët.
Artur Nura: meqe jeni ushtarak, edhe historikisht, shqiptarët kanë pritur ushtarët italianë pas rënies së regjimit të Musolinit, duke u dhënë strehim dhe mbrotje.
Gjeneral Carmine De Pascale: Edhe unë kam vizituar Shqipërinë gjatë punës në Shtabin e Përgjithshëm dhe gjithmonë jemi pritur shumë mirë. Kjo tregon mikpritjen e popullit shqiptar, një vlerë që ndahet edhe me popullin italian.
Do të vij së shpejti, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta. Në Shqipëri jetohet mirë, nuk është propagandë.
Artur Nura :Edhe fati gjeopolitik, sipas meje.
Gjeneral Carmine De Pascale: Edhe fati gjeopolitik. Në përgjithësi vizitohet një vend që di të të presë mirë, ndaj ka shumë arsye që ju të vizitoni Italinë dhe ne Shqipërinë.
Artur Nura : Dhe jo më kot emisionin e kemi titulluar “Të gjitha rrugët çojnë në Romë”.
Gjeneral Carmine De Pascale: Ju lutem.
Artur Nura : U krye.


