KOSOVË- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së ka kërkuar që institucionet e Kosovës të veprojnë me urgjencë pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Hagë.
Ai tha se mbrojtja e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe kundërshtimi i narrativave që e shtrembërojnë luftën çlirimtare duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të PDK-së dhe të shtetit.
“Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre u është bërë një padrejtësi e madhe. Aktgjykimi ndaj tyre është i padrejtë, i papranueshëm dhe i ndikuar politikisht. Përgjegjësia jonë e parë është që të mos i lëmë vetëm”, tha Hamza.
Gjithashtu theksoi se angazhimi për mbrojtjen e tyre duhet të zhvillohet brenda ligjit dhe institucioneve, duke u siguruar atyre mbrojtjen më të mirë të mundshme në fazat e ardhshme të procesit.
Më tej Hamza shtoi se aktgjykimi ka edhe pasoja politike e historike, të cilave Kosova duhet t’u përgjigjet me fakte, dokumente, veprim institucional dhe diplomaci.
“UÇK-ja dhe Perëndimi ishin aleatë në vitin 1999. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja dhe aleatët tanë perëndimorë ishin pjesë e përpjekjes së përbashkët që i dha fund luftës dhe hapi rrugën për lirinë e Kosovës. Prandaj, çdo deformim i historisë së luftës sonë prek edhe historinë e kësaj aleance”, u shpreh ai.
/abcnews.al/

