Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Presidenti i Koresë së Jugut Lee Jae Myung u zotuan të punojnë së bashku për të garantuar sigurinë e Ngushticës së Hormuzit.
Në një konferencë për mediat, Macron theksoi nevojën që dy vendet të bashkëpunojnë për të ndihmuar në rihapjen e rrugës tregatre dhe për të shuar armiqësitë në Lindjen e Mesme.
“Ne trajtuam krizën në Lindjen e Mesme, kushtet për një proces deeskalimi që po negociohet me Iranin dhe një rihapje të Ngushticës së Hormuzit. Ne gjithashtu mbrojtëm një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare, qoftë në lidhje me Ukrainën që përballet me agresionin rus apo paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean. Është i njëjti vizion që ne po mbrojmë” tha ai.
Presidenti i Koresë së Jugut tha se bashkë me Macron konfirmuan vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar për të garantuar një rrugë të sigurt transporti në Ngushticën e Hormuzit.
Takimi i tyre në Seul erdhi teksa presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar aleatët që nuk kanë pranuar të përfshihen në luftë dhe të dërgojnë forcë ushtarake për të rihapur rrugën tregtare.
Macron së fundmi e ka kritikuar ashpër Trump dhe ka thënë se një ndërhyrje ushtarake në Ngushticën e Hormuzit do të ishte një oepracion jorealist dhe i pafund.
Macron ishte në Seul si pjesë e një turneu aziatik dhe ka qenë tashmë në Japoni. Kjo ishte vizita e tij e parë në Korenë e Jugut që nga marrja e detyrës në vitin 2017.


