TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë dhe të rinj, ku ka folur mbi ecurinë e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe ndikimin e këtij procesi në të ardhmen e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se integrimi në BE nuk është thjesht një ndryshim formal statusi, por një transformim i thellë i pozitës së Shqipërisë dhe marrëdhënieve të saj me vendet europiane. Ai e cilësoi këtë proces si një përpjekje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e çdo qytetari, veçanërisht të të rinjve.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment historik, duke theksuar se “kurrë më parë” vendi nuk ka pasur një mundësi kaq të favorshme për të garantuar një të ardhme më të lirë dhe më të barabartë për qytetarët e saj.
Sipas tij, anëtarësimi në BE nuk është “rrugë drejt parajsës”, por një rrugë e sigurt drejt një realiteti ku shqiptarët do të jenë më të mbrojtur dhe më të sigurt ndaj zhvillimeve të pafavorshme historike.
Rama shtoi se “janë bashkuar yjet” për Shqipërinë, duke iu referuar si përpjekjeve të brendshme për të përmirësuar imazhin e vendit, ashtu edhe mbështetjes ndërkombëtare për integrimin europian. Ai theksoi se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm perceptimin e saj në arenën ndërkombëtare, nga një vend i nënvlerësuar në një vend me perspektivë reale europiane.
“Kjo është një përpjekje, që ka kuptim dhe ka impakt për gjithsecilin prej jush. Nuk bëhet fjalë për një kapërcim formal dhe ndryshim formal të një statusi, por bëhet fjalë për një ndryshim thelbësore të pozicionit dhe të raporteve mes vendeve dhe popullit shqiptare me popujt dhe vendet tjera të BE.
Kurrë asnjëherë më parë dhe për këtë nëse ka këtu studentë të historisë do isha i interesuar të dëgjoja çfarëdo prove për të kundërtën, por për sa kohë që nuk kam një provë për të kundërtën, do ta përsëris: kurrë asnjëherë më parë, Shqipëria nuk e ka pasur buzëqeshjen e fatit siç e ka sot, kur them sot, në këto vitet e fundit. Asnjëherë Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati në sensin e të ardhmes së mundshme të njerëzve për të qenë të lirë dhe të barabartë para ligjit.
Nuk është rrugë drejt parajsës, por është rruga e sigurt drejt një realitet, ku për herë të parë shqiptarët do jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga çfarëdo lloj kthese e rrethanave të historisë në dëm të tyre dhe kjo është një gjë shumë e madhe.
Po na buzëqesh fati, sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetjen e kësaj ëndrre që ka qenë shekullore e shqiptarëve, që gjithmonë kanë parë nga perëndimin, por pavarësisht se ata kanë parë nga perëndimi, gjithmonë pamja nga perëndimi ju është mbyllur.
Janë bashkuar yjet, sepse ne kemi bërë një punë të madhe për ta ndryshuar pozicionin e Shqipërisë që deri dje ishte e përbuzur dhe për këtë janë dëshmitarë të gjithë shqiptarët që janë jashtë apo që dilnin jashtë”, tha ai./abcnews.al


