Tentativa për të disatën herë për t’i dhënë fund jetës nga dy motra të mitura, ngre shqetësimin serioz për gjendjen e tyre psiko emocionale.
Në Korçë, e mitura tentoi të hidhej nga ballkoni i banesës ku jeton, ndërsa edhe motra e saj e madhe ndërmori të njëjtin akt pak muaj më parë. Prej disa muajsh, katër fëmijët e kësaj familje janë në ndjekje nga Qendra e Shëndetit Mendor në Korçë.
Pas tentativës së parë, ata u trajtuan edhe në spitalin psikiatrik të fëmijëve në Tiranë, ku qëndruan për disa javë nën kujdesin e specialistëve.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore dhe mbështetjes psikologjike, situata mbetet kritike. Sipas mjekëve, përsëritja e tentativave tregon për një gjendje të rënduar dhe kërkon hospitalizim më të gjatë dhe trajtim të specializuar.
“Përsëritja e aktit është më e rëndë sesa vetë akti. Vetëvrasja është një tregues i qartë i një krize sociale. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem psikologjik individual, por me një realitet social që e nxit atë. Kur në një familje ndodhin raste të tilla, do të thotë se kemi një krizë të thellë funksionale”, tha psikologia Maria Dojçe.
Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, vëmendja duhet të përqendrohet tek kushtet sociale dhe ekonomike të familjes, marrëdhëniet mes prindërve dhe gjendja emocionale e nënës, e cila në këtë rast përballet edhe me mungesën e bashkëshortit, pasi ndodhet në burg.
“Duhej një vlerësim i plotë psiko-social i familjes dhe marrja e masave parandaluese. Në raste të tilla, çdo faktor ndikon dhe mund të çojë drejt një degradimi të thellë psikoemocional”, u shpreh më tej psiokologia.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e mbështetjes sociale, problemet familjare dhe fenomene si bullizmi mund të rëndojnë më tej gjendjen e fëmijëve. Rasti në Korçë rikthen në vëmendje nevojën për një reagim më të shpejtë dhe të koordinuar të institucioneve, për të parandaluar tragjedi të tilla.


