Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se institucionet shqiptare po ndjekin me kujdes të përditshëm ecurinë e çmimeve të karburanteve, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare po përballen me luhatje të forta.
Sipas saj, çmimi i naftës në vend ka pësuar një rritje rreth 24%, ndërsa në bursë është shënuar një rritje edhe më e ndjeshme prej afro 99.7% që nga muaji shkurt.
Për të frenuar abuzimet dhe për të garantuar transparencë në treg, autoritetet kanë mbledhur Bordin e Transparencës, duke synuar vendosjen e çmimeve maksimale dhe forcimin e mbikëqyrjes, në mënyrë që të zbuten efektet e krizave globale tek konsumatorët shqiptarë.
“Ne kemi qenë të kujdesshëm në monitorim ditor të çmimeve të karburanteve. Kemi pasur luhatje të çmimit të naftës, kemi pasur një rritje të çmimeve të naftës në vend në rreth 24%. Çmimi i bursës nga muaji shkurt dhe deri më sot është rritur në 99.7%. Dje mblodhëm Bordin e Transparencës me qëllim diskutimin për çmimet dhe për vendosjen e çmimeve maksimale të çmimeve.
Çmimi vendoset në bazë të një formule, ku bazohet në çmimet e një dite më parë me të gjitha kostot dhe vendoset një marzh. Me ngritjen e Bordit të Transparencës ne do të jemi në mbikëqyrje të përditshme dhe nuk duam që të lejojmë abuzime me çmimet. Për çmimet e shportës do të nisim një mbikëqyrje të tyre. Qëllimi ynë është që efektet e luftës të kenë sa më pak ndikim në konsumatorët shqiptarë dhe që tregu po vazhdon normalisht dhe jo të ketë abuzime për shkak të luftës.
Kjo është një eksperiencë që ne e kemi pasur më parë qoftë në krizën e vitit 2022, por edhe të pandemisë. Nisur nga të gjitha vendimet që kanë ndodhur deri tani ose do të vazhdojnë në të ardhmen ne do të marrim masat e duhura”, tha Ibrahimaj.


