TIRANË- Ndërsa tregu i karburanteve vijon të rritet, Qeveria shqiptare është në monitorim të vazhdueshëm të tyre për çmimet e naftës dhe gazit, për të arritur tek vendimet, që mund të lindin në vijim, deklaroi ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaci.
Këtu ai iu referua mundësisë së ringritjes së Bordit të Transparencës, që vendos çmim reference për çmimin e naftës dhe të gazit.
“Jemi duke ndjekur në mënyrë dinamike tregun e karburanteve, çfarë po ndodh edhe në rajon, ka modele të ndryshme, s’kemi vendimmarrje për Bordin. Ky bord, është aty dhe mund të krijohet me një vendim të Këshillit të Ministrave”, tha ai.
Konflikti në Lindjes e Mesme dhe ngushtica e Hormuzit nuk përbëjnë problem për furnizuesit shqiptar, vijoi ministri më pas, por monitorimi do të vijojë.
“Po e shohim dinamikën. Shihet a ka mungesë të produktit në treg, të gjitha informacionit që kemi, ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi për grupet e furnizuesve shqiptarë. Mbi 90% e furnizimit vjen nga rrugë të tjera detare.
Mekanizmi është aty, mund të ngrihet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Kemi vlerësuar se me mesazhet përmes grupit të interesit, ta kuptojnë vetë rëndësinë. Është aty, mund të ngrihet shumë shpejt”, tha ai.
Të mërkurën, kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi me furnizuesit të naftës, të cilëve iu kërkoi të ruajnë ekuilibrin e çmimeve, të mos abuzojnë dhe se prioritet duhet duhet të jetë mbrojtja e konsumatorëve. /abcnews.al


