Duket se kanë rënë në dashuri me të. E sigurt që kjo ka ndodhur me klubin e tij, Trabzonspor, i cili vazhdon ta ngrejë në qiell Ernest Muçin.
Edhe pse futbollisti i kombëtares ka disa ndeshje që nuk shënon gol, sërish kontributi i tij mbetet i rëndësishëm, pasi loja nuk është vetëm kur topi hyn në portë.
Trabzonspor reagoi dhe i bëri një vlerësim të madh yllit kuqezi pasi ai krijoi golin e fitores ndaj Rizesporit në Superligën turke. Komenti në rrjetet sociale, në faqen zyrtare të klubit, kishte videon e aksionit të tij dhe diçiturën lakonike, “art”.
I tillë niveli I lojtarit ofensiv shqiptar i cili ka bërë art vazhdimisht gjatë këtij sezoni. Kjo, me golat me asistet dhe me veprimet e tij vërtet elegante, prej një lojtari me klas të lartë.
Jo më kot ka 13 gola e 8 asistë këtë sezon, nga të cilët 10 rrjeta e 4 pasime për gol në Superligë. Trabzonspori mbërriti Fenerbahçen në renditje e tani do të ketë garë për vendin e dytë që të dërgon direkt në Ligën e Kampionëve.
Ky do të ishte një sukses I madh sportiv dhe financiar, e do të ndihmonte që të paguheshin pa problem 8 milionë eurot që Beshiktashi kërkon për kartonin e Ernest Muçit.


