Që Ernest Muçi po kalon një sezon fantastik, ndoshta më të mirin në karrierën e tij, kjo ishte kuptuar. Por për ta zyrtarizuar këtë vljenë statistikat e sulmuesit të komnbëtares së Shqipërisë me Trabzonspor në Superligën turke.
Në ndeshjen e fundit , nga këmbët e futbollistit kuqezi nisën katër golat e fitores për skuadrën e tij. Ai mori vlerësime dhe elozhe nga mediat në vend, ndërsa u përfshi edhe në ekipin më të mirë të javës.
Por më shumë se kaq. Paraqitjet e tij me Trabzonspor e kanë nxjerrë Muçin edhe në dritën e skenës së madhe të futbollit europian.
Ai renditet në vendin e katërt të lojtarëve që kanë krijuar më shumë raste për gol në dhjetë ligat më të mëdha në kontinentin e vjetër.
Sipas kësaj renditjeje, që mediat turke I kanë bërë shumë jehonë, përpara Muçit janë vetëm dy yjet e La Liga, sulmuesi i Barcelonës, Lamin Jamal dhe mesfushori i Real Madrid, Arda Guler. Po ashtu, me pak diferencë, Muçi kalohet edhe nga sulmuesi francez I Lens, Florian Thauvin.
Sipas statistikave, futbollisti kuqezi ka një mesatare me 1.3 raste të pastra për gol për çdo ndeshje, por ndryshe nga kryesuesit e renditjes, ai ka luajtur më pak sfida në këtë sezon.
Ky klasifikim është një tjetër konfirmim për formën e Ernest Muçit si dhe një lajm i mirë për kombëtaren e Shqipërisë, ku nën drejtimin e Rolando Maran, ai është kthyer në një titullar të padiskutueshëm dhe një pikë referimi në manovrat sulmuese të skuadrës./abcnews.al


