Ka qenë një shtyllë dhe një i pazëvendësueshëm. Berat Gjimshiti padyshim mbetet një nga lojtarët më të mirë të Atalantës, ashtu si edhe kapiten I kombëtares shqiptare, veçse ky vit nuk është se ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme për të.
Mbrojtësi I qendrës ka luajtur më pak se normalisht, madje me diferencë. Statistikat janë që në 16 ndeshje në 2026, ai është aktivizuar vetëm 6 herë si titullar, dy herë ka qenë I dëmtuar, dhe dy herë të tjera e ka ndjekur lojën tërësisht nga stoli.
Mesatarja në terren është 49 minuta për ndeshje, që do të thotë pak më shumë sesa gjysma e kohës totale.
Ç’po ndodh me Berat Gjimshitin?
Besohet mosha 33-vjeçare ndikon gjithnjë e më shumë dhe trajneri Paladino e ka alternuar me mbrojtësin tjetër, suedezin Hien.
Po ashtu, shqiptari nga Lugina e Preshevës ka pasur dëmtime relativisht të lehta në dhjetor e janar, por që kanë krijuar shqetësime dhe kanë dashur kohë që të kalojnë plotësisht.
Edhe Atalanta nuk është se po shkëlqen si sezonet e kaluara, dhe është thuajse e sigurt se nuk do të kualifikohet në Champions edicionin e ardhshëm.


